UDHËZUES PËR PACIENTËT
LYSOBACT COMPLETE SPRAY®
(20 + 1,5 + 0,5) mg/ml
spërkatës për mukozën e gojës, tretësirë
lizozimë/cetilpiridinë/lidokainë
Lexoni me kujdes këtë udhëzues përpara përdorimit! Ky bar mund të blihet pa recetë të mjekut. Në mënyrë që të merrni rezultatin më të mirë nga përdorimi i këtij bari është e nevojshme që ti përmbaheni këtij udhëzuesi. Udhëzuesin ruajeni. Mbase do të keni nevojë ta lexoni përsëri.
Drejtohuni mjekut ose farmacistit nëse keni pyetje shtesë.
Në këtë udhëzues mund të lexoni:
Ova stranica je također dostupna na: Bosnian Macedonian Serbian Ukrainian English
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® përdoret për:
- Trajtimin lokal të sëmundjeve akute inflamatore të mukozës së gojës dhe fytit, të tilla si gingiviti (sëmundje e mishit të dhëmbëve), stomatiti (inflamacion i mukozës së gojës) dhe aftet (pllaka të vogla në mukozën e gojës);
- Si mjekim ndihmës lokal në rastin e dhimbjeve, irritimeve dhe inflamacioneve të fytit dhe faringut;
- Në bazë të rekomandimit të mjekut, para dhe pas ndërhyrjeve kirurgjike (bajame, fyt), si dhe në rastin e lëndimeve ose abscesit, dhe pas heqjes së dhëmbit.
Paralajmëroni mjekun nëse jeni duke përdorur barna tjera, nëse keni ndonjë sëmundje kronike, ndonjë çrregullim metabolik, nëse jeni të ndjeshëm ndaj barnave ose nëse keni patur ndonjë reaksion alergjik në ndonjërin prej tyre.
Mos përdorni LYSOBACT COMPLETE SPRAY®:
- Nëse jeni shumë të ndjeshëm ndaj përbërësit lizozimë hidroklorid, cetilpiridinë klorid, lidokainë hidroklorid dhe anestetikëve tjerë të tipit amid ose ndaj përbërësve te tjerë të barit;
- Nëse jeni shumë të ndjeshëm ndaj të bardhës së vezës;
- Nëse fëmija juaj është më i vogël se 6 vjeç.
Nëse përfshiheni në një nga kategoritë e mësipërme, konsultohuni me mjekun tuaj ose farmacistin para përdorimit të ketij bari.
Përdorimi i barnave të tjerë gjatë marrjes së LYSOBACT COMPLETE SPRAY®
Duhet të keni parasysh se ky informacion vlen edhe për barnat që nuk i përdorni më, gjithashtu dhe për barnat që planifikoni t’i përdorni në të ardhmen. Informoni mjekun tuaj nëse jeni në përdorim e sipër të ndonjë bari ose nëse keni përdorur kohët e fundit ndonjë bar, duke përfshirë këtu dhe barnat që blihen pa recetë të mjekut.
Drejtohuni mjekut tuaj ose farmacistit për këshillim nëse përdorni ndonjë nga barnat e mëposhtme:
- Beta- bllokues ose barna të tjerë për problemet e zemrës (psh. propranololi, meksiletinë);
- Barna për mjekimin e ulcerës së stomakut (psh. cimetidinë);
- Diuretikët, të cilët ndihmojnë në heqjen e lëngjeve të tepërta nga organizmi juaj me anë të urinës;
- Barna për epilepsinë (psh. fenitoinë ose ndonjë nga barbituratet).
Gjatë përdorimit të LYSOBACT COMPLETE SPRAY® nuk duhet të përdorni në të njëjtën kohë antiseptikë të tjerë lokal me qëllim të dezinfektimit e gojës dhe/ose fytit.
Përdorimi i ushqimeve dhe pijeve gjatë marrjes së LYSOBACT COMPLETE SPRAY®
Një orë pas marrjes së LYSOBACT COMPLETE SPRAY® nuk duhet të konsumoni ushqim dhe/ ose pije sepse mund të keni vështirësi në gëlltitje dhe rrezik nga aspirimi (hyrja e ushqimit në mushkëri) për shkak të pranisë së anestetikut në këtë bar. Gjithashtu, këshillohet shmangia e larjes së dhëmbëve dhe përdorimit të çamçakëzit ndërkohë që pjesa rreth gojës dhe/ ose fytit është nën anestezi.
Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Këshillohuni me mjekun tuaj ose farmacistin para fillimit të përdorimit të ndonjë bari.
Shtatzënia
Si masë paraprake, rekomandohet që ky bar të mos përdoret gjatë shtatzënisë.
Laktacioni (Gjidhënia)
Nuk rekomandohet marrja e barit gjatë periudhës së ushqyerjes së foshnjës me gji.
Drejtimi i automjeteve dhe makinerisë
Nuk janë të njohur efektet e rëndësishme të këtij bari që mund të ndikoj në aftësinë për të drejtuar automjete ose për të përdorur makineri.
Shënime të tjera
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® përmban glicerol (85%), i cili mund të shkaktoj dhembje koke, probleme me stomakun ose diarre.
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® përmban propilenglikol, i cili mund të shkaktoj simptoma të ngjashme me alkoolin.
Ilaçin përdoreni duke iu përmbajtur udhëzuesit.
Nëse mendoni se efekti i ilaçit është shumë i dobët ose shumë i fortë, këshillohuni me mjekun ose farmacistin.
Mënyra e përdorimit:
- Rekomandohet aplikimi i barit vetëm për një pacient.
- Para përdorimit të parë, është e nevojshme të hiqet kapaku plastik i pompës se spërkatësit.
- Pas kësaj, me një shtytje të lehtë aplikatori vendoset në pompën e spërkatësit.
- Aplikatori mund të lëvizet anash për të siguruar aplikim të rregullt të spërkatësit në gojë.
- Aplikatori duhet të kthehet me drejtim nga lart, me kënd të drejtë në lidhje me shishen.
- Përpara aplikimit të parë të spërkatësit, pompa duhet të shtypet disa herë për të bërë të mundur uniformitetin e nxjerrjes së lëngut
- Goja duhet të hapet shumë, aplikatori duhet ti drejtohet vendit të sëmurë dhe pompa duhet të shtypet aq herë sa është doza e lejuar e barit.
- Gjatë kohë së spërkatjes duhet të mbahet fryma. Mos gëlltisni.
- Pas marrjes së barit, aplikatori duhet të drejtohet nga poshtë për të bllokuar nxjerrjen e lëngut.
Doza
Për një dozë të vetme është e nevojshme të shtypni pesë herë pompën e spërkatësit. Kjo procedurë mund të përsëritet 3-6 herë në ditë, me një hapësirë kohore së paku 2 orë ndërmjet dozave.
Nga një shtypje e pompës së spërkatësit lirohet 0,20 ml tretësirë e cila përmban 4 mg lizozimë, 0,3 mg cetilpiridinë dhe 0,1 mg lidokainë hidrokloridi.
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® nuk këshillohet të përdoret tek fëmijët më të vegjël se 6 vjeç.
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® nuk përmban sheqer dhe është i përshtatshëm për përdorim në të sëmurë me diabet.
Nëse merrni sasi më të madhe se duhet të LYSOBACT COMPLETE SPRAY®
Nëse keni përdorur dozë më të madhe të barit sesa doza e përshkruar, konsultohuni menjëherë me mjekun tuaj ose farmacistin!
Nëse merrni dozë më të madhe se duhet të LYSOBACT COMPLETE SPRAY® , ose nëse rastësisht gëlltisni lëng direkt nga shishja, informoni menjëherë mjekun tuaj. Sillni me vete barin e paketuar në mënyrë që t’i tregoni mjekut se çfarë bari keni gëlltitur.
Nëse keni harruar të përdorni LYSOBACT COMPLETE SPRAY®
Mos merrni dozë të dyfishtë të barit nëse keni harruar të merrni dozën në kohën e duhur, por vazhdoni përdorimin e barit si zakonisht.
Nëse harroni të merrni LYSOBACT COMPLETE SPRAY, merreni atë sapo të kujtoheni. Pastaj, vazhdoni me përdorimin e barit sipas orarit të zakonshëm dhe në mënyrën e rekomanduar.
Nëse ndaloni përdorimin e LYSOBACT COMPLETE SPRAY®
Përdoreni këtë bar për aq kohë sa ju rekomandon mjeku juaj.
Ndalesa e përnjëhershme e përdorimit të këtij bari nuk ka asnjë efekt negativ në organizmin tuaj.
Në rast të ndonjë paqartësie ose pyetje në lidhje me përdorimin e LYSOBACT COMPLETE SPRAY® drejtohuni mjekut tuaj ose farmacistit.
Ashtu si edhe barnat tjera edhe LYSOBACT COMPLETE SPRAY® mund të shkaktoj efekte anësore të padëshiruara.
- Shpeshtësia nuk dihet (shpeshtësia nuk mund të vlerësohet nga të dhënat në dispozicion). Rrallë mund të shfaqen reaksione alergjike, të tilla si shok anafilaktik, ënjtje e papritur e fytyrës dhe qafës (edema Kvinke) dhe reaksione lokale të mbindjeshmërisë. Në raste jashtëzakonisht të rralla shfaqen reaksione të mbindjeshmërisë ndaj lidokainës së hidrokloridit pas injektimeve lokale, janë shfaqur në formë të ënjtjes lokale të shoqëruar me probleme të lehta të frymëmarrjes ose me skuqje të përgjithshme.
- Çrregullime të sistemit tretës shfaqen rrallë dhe kryesisht ndodhin në rast të marrjes së dozave më të mëdha se doza e rekomanduar.
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® duhet të mbahet larg nga fëmijët.
Të ruhet në temperaturën deri në 25 °C. Të mos ngrihet.
Afati i përdorimit: 24 muaj.
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® nuk duhet të përdoret pas afatit të skadimit të shënuar në paketim.
Çfarë përmban LYSOBACT COMPLETE SPRAY®
1 ml LYSOBACT COMPLETE SPRAY® përmban lizozimë hidrokloridi 20,00mg (që korrespondon me një minimum prej 720 000 FIP njësi), cetilpiridinë kloridi 1,50mg dhe lidokainë hidrokloridi 0,50mg.
Nga një shtypje e pompës së spërkatësit lirohet 0,20 ml tretësirë e cila përmban 4 mg lizozimë, 0,3 mg cetilpiridinë dhe 0,1 mg lidokainë.
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® përmban substancat e mëposhtme ndihmëse: glicerinë 85%, propilenglikol, metil parahidroksibenzoat, propil parahidroksibenzoat, aromë mente, hidroksid natriumi, ujë i pastruar.
Çfarë paraqitje ka LYSOBACT COMPLETE SPRAY® dhe çfarë përmbajtje ka paketimi
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® është tretësirë pa ngjyrë ose me ngjyrë të verdhë të hapur dhe me aromë mente.
Përmbajtja e paketimit: 30 ml tretësirë në shishe qelqi ngjyrë kafe me pompë për spërkatje dhe aplikator për spërkatjen e spërkatësit.
Regjimi i dhënies së barit:
Bari mund të jepet pa recetë të mjekut.
Prodhuesi (selia administrative)
Bosnalijek, industri kimike dhe farmaceutike, kompani aksionare, Jukićeva 53, Sarajevë, BeH
Prodhuesi i barit përfundimtar (vëndi i lëshimit të barit në treg)
Bosnalijek, industri kimike dhe farmaceutike, kompani aksionare, Jukićeva 53, Sarajevë, BeH
I licencuar për hedhjen e barit përfundimtar në treg
Bosnalijek, industri kimike dhe farmaceutike, kompani aksionare, Jukićeva 53, Sarajevë, BeH
Numri dhe data e dhënies së licencës për hedhjen e barit të përfunduar në treg
LYSOBACT COMPLETE SPRAY® spërkatës për mukozën e gojës, tretësirë (20 + 1,5 + 0,5) mg/ml, 30 ml: 04.07.9-5725/13 nga 04.07.2014.
Data e fundit e revidimit të udhëzuesit:
Nëntor 2014.